E Enjte, 5 Nëntor 2026

IZRAEL – IDF vret anëtarin e lartë të Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor

RAMALLAH, 11 tetor /ATSH-DPA/- Forcat izraelite kanë vrarë dy anëtarë të Xhihadit Islamik gjatë një operacioni në Bregun Perëndimor, thanë sot zyrtarët e ushtrisë dhe sigurisë.

Sipas ushtrisë izraelite dhe shërbimit të brendshëm të inteligjencës “Shin Bet”, një nga te vrarët ishte anëtar drejtues i Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ) në zonë.

Muhamed Abdullah thuhet se u vra gjatë një sulmi me raketa në zonën Tulkarem në veriperëndim të territorit palestinez. Të dy personat udhëtonin në automjet.

Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Abdullah ishte lideri i organizatës terroriste në lagjen e refugjatëve Nur Shams në Tulkarem.

“Paraardhësi i tij u vra në fund të gushtit”, tha IDF.

Ministria e Shëndetësisë në Ramallah konfirmoi vdekjen e dy anëtarëve, të moshës 21 dhe 30 vjeç.

Sipas raporteve palestineze, automjete dhe buldozerë të ushtrisë izraelite po lëviznin gjithashtu nëpër qytet.

Situata tashmë e tensionuar në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga masakra e Hamasit në jug të Izraelit – një vit më parë dhe pas luftës në Gazë.

Sipas ministrisë në Ramallah, që atëherë 719 palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite, përleshjet e armatosura dhe sulmet nga ekstremistët. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›