BERZH: Ekonomia shqiptare, -2.8% në maj
TIRANE- Ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë vlerësohet në ulje. Sipas raportit prognozë të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), trendi i zhvillimit ekonomik të vendit tonë në muajin maj paraqitet 2.8 për qind më i ulët se ai i muajit janar të po këtij viti. Ekspertët e Bankës kanë publikuar dje analizat dhe parashikimet e tyre për vendet e Evropës Lindore e Ballkanit, midis të cilave marrin në analizë edhe ekonominë shqiptare. Ndërkohë që në muajin janar 2009 vlerësimi i ritmit të rritjes ishte 4%, aktualisht ai është 1.2%.
BERZH përgënjeshtron zyrtarët e lartë të qeverisë shqiptare, të cilët kanë pohuar vazhdimisht se ritmi i rritjes vjetore të ekonomisë sonë gjatë vitit 2008 ka qenë më i larti në Ballkanin Perëndimor. Sipas tabelës, del se Rumania ka pasur nivelin më të lartë, me 7.1% rritje të PBB-së, pasuar nga Mali i Zi, me 7 për qind. Shqipëria vjen e treta në listën me shtatë shtete, me 6.9%. Ky nivel, sipas BERZH-it, nuk është kurrsesi dyshifror, sikurse u përpoq ta propagandojë kryeministri Berisha, ndonëse është mjaft i kënaqshëm. Por gjatë vitit në vazhdim, sipas këtij institucioni financiar, rritja e ekonomisë së vendit nuk do t'i kalojë 1.2 përqindët, madje ky do të jetë rezultati i vetëm pozitiv në të gjithë rajonin. Kjo shifër është më e lartë se parashikimi që ofron FMN-ja, prej më pak se 0.4 për qind. Edhe për vitin 2010, rritja do të jetë më e vogël se 2 për qind, konkretisht 1.8%, ndërkohë që gjashtë vendet e tjera do të kenë rezultate edhe më të ulëta.
Ndërkohë, parashikimi për rezultatet e tremujorit të katërt 2009, krahasuar me rezultatet e të njëjtës periudhë të një viti më parë, është negativ: -0.3%.
(s.g/GSH/BalkanWeb)