BKH: Asnjë përplasje me Gardën në Kryeministri, armët u dorëzuan sipas rregullave

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Byroja Kombëtare e Hetimit, në një reagim për mediat, thekson se tre hetuesit e saj kanë zbatuar rregulloren, duke respektuar edhe kërkesat e Gardës së Republikës gjatë paraqitjes në Kryeministri më 20 nëntor.
Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, gjatë podkastit “Flasim”, BKH sqaron se tre hetuesit u paraqitën në Kryeministri për të ekzekutuar urdhrin për pezullimin nga detyra, të lëshuar nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në ngarkim të të hetuarës Belinda Balluku, me pozicion zëvendëskryeministre dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas njoftimi të BKH-së, “më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale”.
BKH thekson se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.
E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.
Sot në hyrje të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama tha se disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, trokitën në derë dhe se nuk pranuan që të dorëzonin armën, referuar rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.
“Por unë, nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës”, tha ndër të tjera Edi Rama.
/a.f/