GJERMANI – Zelensky mbërrin në Berlin për bisedime vendimtare për paqen në Ukrainë

BERLIN, 14 dhjetor /ATSH-AFP / – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti sot në Berlin për dy ditë bisedime me udhëheqësit evropianë dhe të dërguarit epresidentit amerikan Donald Trump, me synimin për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Ndërsa luftimet vazhdojnë në Ukrainë, Zelensky pritet të takohet me kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili do të presë nesër gjithashtu liderë të tjerë evropianë, mes tyre kryeministrin britanik Keir Starmer, si dhe krerët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, u panë duke hyrë sot në një hotel në qendër të Berlini, ashtu si edhe negociatori kryesor ukrainas Rustem Umerov dhe një zyrtar i lartë gjerman, raportoi e përditshmja gjermane “Bild”.
Gjatë udhëtimit drejt Gjermanisë, Zelensky tha se ishte i gatshëm për “dialog” për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare, e cila nisi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
“Samiti në Berlin është i rëndësishëm”, tha ai. “Po takohemi si me amerikanët ashtu edhe me evropianët… dhe këto takime zhvillohen sot dhe nesër në Berlin”.
Zelensky theksoi se shpreson që Shtetet e Bashkuara të mbështesin idenë e ngrirjes së vijës së frontit aty ku ndodhet aktualisht, në vend që Ukraina të detyrohet të dorëzojë të gjithë rajonin e Donbasit, siç kërkon Moska.
“Opsioni më i drejtë i mundshëm është ‘të qëndrojmë aty ku jemi”, u tha ai gazetarëve. “Kjo është e vërtetë sepse bëhet fjalë për një armëpushim… E di që Rusia nuk e sheh këtë pozitivisht dhe do të doja që amerikanët të na mbështesin në këtë çështje”. /Ad.Ab./