E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Alarm i kuq për nxehtësi ekstreme, temperaturat mund të arrijnë 40°C

LONDËR, 23 qershor /ATSH-AFP/- Britania e Madhe po përgatitet për një valë të pazakontë të nxehti, me temperatura që mund të arrijnë deri në 40°C, duke detyruar disa shkolla në Angli të mbyllen më herët ose të qëndrojnë të mbyllura deri të enjten për të mbrojtur nxënësit.

Sipas shërbimit meteorologjik britanik, “Met Office”, rekordi i temperaturës për muajin qershor prej 35,6°C, i vendosur në vitet 1957 dhe 1976, mund të thyhet që të martën, ndërsa në jug të Anglisë priten deri në 37°C.

Për të mërkurën dhe të enjten është shpallur një alarm i kuq për vapë ekstreme, një masë shumë e rrallë që është përdorur vetëm një herë më parë, në korrik 2022, kur Britania regjistroi temperaturën më të lartë në historinë e saj prej 40.3°C.

Temperaturat më të larta priten në jug të vendit, përfshirë Londrën dhe Birmingemin, ndërsa alarmi portokalli shtrihet deri në veri të Anglisë, përfshirë zonën e Mançesterit.

Autoritetet paralajmërojnë për pasoja serioze në shëndetin publik, pasi temperaturat e larta do të shoqërohen edhe me “netë tropikale”, kur temperaturat nuk bien nën 20°C gjatë natës, duke penguar organizmin të rikuperohet.

Vapa ka ndikuar edhe në transportin hekurudhor. Disa kompani kanë reduktuar shërbimet nga e marta deri të enjten për shkak të rrezikut të deformimit të shinave dhe zjarreve pranë linjave hekurudhore.

Kjo është vala e dytë e madhe e të nxehtit që godet Evropën Perëndimore brenda më pak se një muaji. Sipas ekspertëve të “Met Office”, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po i bëjnë episode të tilla më të shpeshta dhe më intensive./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›