E Diel, 1 Nëntor 2026

SKOCI – Ish-kreu i SNP-së dënohet me pesë vjet burg për përvetësim të fondeve të partisë

EDINBURG, 23 qershor /ATSH/- Ish-shefi ekzekutiv i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), Peter Murrell, u dënua sot me pesë vjet e tre muaj burg, pasi pranoi se kishte përvetësuar më shumë se 400 mijë paund, nga fondet e partisë për blerjen e makinave, një autokampingu dhe mallrave luksoze, raportoi “Reuters”.

Murrell, 61 vjeç, është bashkëshorti i ndarë i ish-kryeministres së Skocisë dhe ish-lideres së SNP-së, Nicola Sturgeon, e cila dha dorëheqjen papritur në vitin 2023, pak para se të arrestohej në kuadër të hetimeve mbi financat e partisë. Ajo u shpall e pafajshme në mars të vitit të kaluar.

Muajin e kaluar, Murrell pranoi fajësinë për përvetësimin e mbi 400,000 paundëve nga SNP-ja gjatë periudhës 2010–2023.

Sipas hetimeve, ai i përdori paratë për të blerë disa automjete, si dhe produkte nga marka luksoze dhe dyqane prestigjioze.

Duke shpallur vendimin në Gjykatën e Lartë të Edinburgut, gjyqtari Andrew Young tha se Murrell kishte shkelur rëndë besimin e anëtarëve dhe donatorëve të partisë.

“Ky ishte një krim i paramenduar mashtrimi. Dënimi duhet të shërbejë si paralajmërim për drejtuesit e organizatave të mëdha, që mund të tundohen të abuzojnë me pozitat e tyre”, deklaroi ai.

Hetimi policor që çoi në arrestimin e Sturgeon dhe më pas në dënimin e bashkëshortit të saj, ngriti pikëpyetje të sikletshme për SNP-në, partinë pro-pavarësisë që ka dominuar politikën skoceze, për gati dy dekada.

Pas pranimit të fajësisë nga Murrell, Sturgeon përsëriti se nuk kishte dijeni për përdorimin e fondeve të partisë për qëllime personale.

Autoritetet pritet të ndërmarrin procedura ligjore, për të rikuperuar paratë e përvetësuara, përmes legjislacionit që lejon konfiskimin e të ardhurave, të përfituara nga veprimtaria kriminale. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›