BM – Assange pranon fajin dhe kthehet në Australi

LONDËR, 25 qershor /ATSH-DPA/ – Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange ka rënë dakord të pranojë fajin, në një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë të SHBA, dhe të kthehet në Australi, thonë dokumente gjyqësore.
Sipas dokumenteve të gjykatës, marrëveshja do të bënte që Assange të deklarohej fajtor për një akuzë për komplot për marrjen dhe zbulimin e dokumenteve sekrete të mbrojtjes kombëtare të SHBA.
Marrëveshja është ende për t’u miratuar nga një gjykatës federal i SHBA.
”Assange pritet të marrë pjesë në një seancë në ishullin Saipan të mërkurën përpara se të kthehet në Australi”, thuhet në dokumentet e gjykatës.
Assange akuzohet se ka vjedhur dhe publikuar materiale sekrete nga operacionet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan, së bashku me informatorin Chelsea Manning, duke vënë në rrezik jetën e informatorëve amerikanë.
Mbështetësit e tij e shohin Assange si një gazetar që nxori në dritë krimet e luftës.
Policia britanike arrestoi Assange në vitin 2019 në ambasadën e Ekuadorit, ku ai ishte strehuar për shtatë vjet, për dështimin për t’u dorëzuar në një urdhërarrest të mëparshëm të lidhur me akuzat suedeze që përfundimisht u hoqën.
Wikileaks tha se Assange, një shtetas australian, u largua dje me kusht nga burgu i sigurisë së lartë Belmarsh, në Londër, dhe u nis nga Mbretëria e Bashkuar nga aeroporti ”Stansted”.
”Julian Assange është i lirë”, thuhet në një postim në llogarinë e Wikileaks në platformën e medias sociale X.
“Ai u largua nga burgu i sigurisë maksimale në Belmarsh në mëngjesin e 24 qershorit, pasi kishte kaluar 1901 ditë atje. Ai u lirua me kusht nga Gjykata e Lartë në Londër”, shtohej në të.
Postimi u pasua nga një video e shkurtër që shfaqte Assange duke u larguar nga aeroporti dhe duke hipur në një avion./ a.jor.