TEL AVIV – 13 të vrarë në sulmin izraelit në veri të Gazës

TEL AVIV, 25 qershor /ATSH-DPA/ – Të paktën 13 persona u vranë në një sulm ajror izraelit në Rripin verior të Gazës, raportuan mediet palestineze.
Ushtria izraelite tha se ”dy ndërtesa ku fshiheshin militantët u goditën të hënën në mbrëmje në lagjet e refugjatëve al-Shati dhe Daraj Tuffah”.
”Në mesin e atyre që u shënjestruan ishin njerëz të përfshirë në masakrat e 7 tetorit dhe marrjen e pengjeve”, theksoi IDF.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se militantët po vepronin “brenda komplekseve shkollore të përdorura nga Hamasi si mburojë për aktivitetet e tij terroriste”.
Mediet palestineze në Gaza thanë se të paktën 13 persona u vranë në sulmin në al-Shati.
Sipas raporteve të pakonfirmuara, njëra prej tyre ishte motra e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh. IDF nuk përmendi motrën e Haniyeh në deklaratën e saj të postuar në mediet sociale.
IDF tha se masat e mbikëqyrjes ajrore, municionet e drejtuara me saktësi dhe mjetet e inteligjencës u përdorën për të minimizuar dëmin ndaj civilëve./ /os/