BM – Jep dorëheqjen Tim Allan, drejtori i komunikimit i Starmer

LONDËR, 9 shkurt /ATSH/- Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer po përballet me një tjetër goditje, pasi drejtori i komunikimit në kryeministri, Tim Allan, dha dorëheqjen, sipas “The Guardian”.
Dorëheqja e Allan vjen një ditë pas largimit nga nga detyra e Morgan McSweeney, shefit të kabinetit dhe një nga këshilltarët më të afërt të kryeministrit.
Dorëheqjet lidhen me krizën e krijuar pas mbështetjes për Peter Mandelson, i nominuar për ambasador të Britanisë së Madhe në Uashington, mes zbulimeve për lidhjet e tij me financierin amerikan, Jeffrey Epstein.
Në deklaratën e tij të dorëheqjes, Allan tha se kishte vendosur të largohej për t’i hapur rrugë formimit të një ekipi të ri.
“I uroj kryeministrit dhe stafit të tij çdo sukses”, u shpreh ai.
Tim Allan ka një karrierë të gjatë në politikën britanike. Ai ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Tony Blair nga viti 1992 deri në 1998 dhe më pas ndërtoi një nga kompanitë më të njohura të konsulencës për çështje publike në Britaninë e Madhe.
Në shtator 2025, ai u emërua drejtor ekzekutiv i komunikimit në Downing Street.
Dorëheqjet e njëpasnjëshme po rrisin presionin mbi kryeministrin Starmer, i cili po përpiqet të menaxhojë krizën politike të shkaktuar nga polemikat rreth emërimeve dhe lidhjeve të figurave kyçe të qeverisë me Jeffrey Epstein. //a.i/