Mblidhet grupi vullnetar parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Në drejtimin e nënkryetares së grupit parlamentar vullnetar “Miqtë e Fëmijëve”, Bora Muzhaqi, u zhvillua sot mbledhja e radhës e këtij grupi.
Grupi parlamentar vullnetar “Miqtë e Fëmijëve”, konsiderohet si një nga mekanizmat më aktivë të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe forcimin e rolit mbikëqyrës të parlamentit në këtë fushë të rëndësishme.
Në takim morën pjesë deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, përfaqësues të UNICEF-it, të kryesuar nga Murat Sahin, Vasilika Hysi ambasadore e Shqipërisë në Misionin e Përhershëm pranë zyrës se Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare, Gjenevë, Zvicër, Ingrid Macdonald Koordinatore Rezidente e OKB në Shqipëri, etj.
Muzhaqi, në fjalën e saj u shpreh se, ky grup duhet të jetë më gjithëpërfshirës dhe bipartizan sa i përket punës së tij, për të bërë më të mirën e mundshme për shtresën më të rëndësishme për cdo shoqëri, siç janë fëmijët, e drejta dhe mbrojtja e tyre.
Ingrid Macdonald, nga ana e saj vlerësoi se ky grup është një angazhim institucional i fortë për ta vendosur mirëqenien e fëmijëve në fokus, për të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë.
Ndërsa, Vasilika Hysi ish-nënkryetare e Kuvendit dhe e grupit “Miqtë e Fëmijëve”, falënderoi anëtarët dhe bashkëpunëtorët e këtij grupi për kontributin e dhënë dhe gatishmërinë e treguar, si edhe u shpreh se është me rëndësi të fuqizohet me tej grupi “Miqtë e Fëmijëve”, të implementohen ligje për të krijuar standarde më të mira.
Pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë me UNICEF-in dhe rolin e tij, si partner kyç në mbështetjen e nismave parlamentare për fëmijët. Më tej, mbledhja diskutoi mbi fushat strategjike të fokusit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, objektivat e mundshme të fokusit të grupit që mund të formësojë planin e veprimit për vitin 2026 dhe për katër vitet e ardhshme.
Së fundmi, Kuvendi riafirmoi angazhimin për ta bërë Grupin “Miqtë e Fëmijëve” një instrument të qëndrueshëm, aktiv dhe funksional në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, duke dhënë kështu kontributin e tij.
/e.i/j.p/