E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Katër të plagosur në një sulm në qendër të Londrës

LONDËR, 5 gusht /ATSH/- Policia e Londrës njoftoi sot se një grua është arrestuar, pasi katër persona u plagosën me thikë në zonën Covent Garden, një nga zonat qendrore të kryeqytetit britanik, e frekuentuar nga turistët, sipas AP.

Policia Metropolitane tha se hetimet e para tregojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me një problem të shëndetit mendor.

Në vendngjarje u gjetën edhe gërshërë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit.

Katër burra, të moshave 34, 39, 42 dhe 52 vjeç, u gjetën me plagë të shkaktuara nga goditjet me mjetin e mprehtë.

Një grua 47-vjeçare u arrestua nën dyshimin për mbajtje të një arme të ftohtë dhe sulm.

Të plagosurit u dërguan në një qendër traumatologjie pas incidentit sot pasdite në rrugën Endell Street.

Dy prej tyre u larguan nga spitali, ndërsa dy të tjerë mbetën nën kujdes mjekësor.

Policia tha se plagët e tyre nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.

“Edhe pse hetimi është ende në fazat e para, duam të sigurojmë komunitetin se aktualisht besojmë se bëhet fjalë për një incident të izoluar, të lidhur me shëndetin mendor”, tha shefi i policisë, Jason Stewart.

Një menaxher i një restoranti pranë vendit të ngjarjes tha se viktimat duket se janë goditur rastësisht. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›