E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Abdul El-Sayed fiton primaret demokrate në Miçigan, triumf për kampin progresist

DETROIT, 5 gusht /ATSH/- Abdul El-Sayed, ish-zyrtar i shëndetit publik dhe kandidat i krahut progresist të Partisë Demokratike, ka fituar zgjedhjet paraprake demokrate për Senatin amerikan në Miçigan, duke mposhtur deputeten Haley Stevens në një garë shumë të ngushtë, sipas AP.

Fitorja e El-Sayed përbën një sukses të rëndësishëm për krahun progresist të demokratëve, i cili kërkon ndryshime më të mëdha brenda partisë dhe një qasje më të ashpër ndaj ndikimit të korporatave dhe strukturave tradicionale politike.

Në zgjedhjet e nëntorit, El-Sayed do të përballet me republikanin Mike Rogers, ish-deputet në Kongres.

Gara konsiderohet vendimtare, pasi rezultati në Miçigan, mund të ndikojë në kontrollin e Senatit amerikan gjatë dy viteve të fundit të mandatit të presidentit Donald Trump.

El-Sayed fitoi me një diferencë të vogël prej rreth 14,900 votash, ose më pak se 1%, nga mbi 1,5 milionë vota të numëruara.

Agjencia “Associated Press” e shpalli atë fitues pasi u bë e qartë se Stevens nuk kishte më mundësi për ta përmbysur rezultatin.

Stevens, e cila kishte mbështetjen e establishmentit demokrat, përfshirë senatorin në largim Gary Peters, pranoi humbjen dhe deklaroi se do të mbështesë El-Sayed në zgjedhjet e përgjithshme.

Gjatë fushatës, El-Sayed u paraqit si kandidati kundër establishmentit dhe premtoi një politikë më progresiste.

Ai mbështeti një sistem shëndetësor publik për të gjithë amerikanët (“Medicare for All”), reformën e financimit të fushatave elektorale dhe kërkoi ndalimin e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin.

Kandidatura e tij mori mbështetje nga figura të njohura të krahut progresist demokrat, përfshirë senatorin Bernie Sanders dhe deputeten Alexandria Ocasio-Cortez.

Çështja e Izraelit ishte një nga temat më të debatueshme të fushatës.

Ndërsa El-Sayed kërkoi ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin, Stevens mbajti një qëndrim më tradicional pro aleancës mes SHBA-së dhe Izraelit.

Organizata pro-izraelite AIPAC shpenzoi më shumë se 30 milionë dollarë për të mbështetur kundërshtarët e El-Sayed, ndërsa në total grupet e jashtme investuan mbi 50 milionë dollarë në këtë garë, duke e bërë atë një nga garat më të kushtueshme për Senatin në vend.

Pas fitores, El-Sayed tha se rezultati ishte një “tërmet politik” dhe citoi boksierin Muhammad Ali: “Ne tronditëm botën.”

Tani sfida kryesore për demokratët është bashkimi i krahëve të ndryshëm të partisë përpara përballjes me republikanin Mike Rogers në nëntor. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›