BM – Lammy: Situata në Liban mund të bëhet shumë më e rrezikshme

LONDËR, 1 tetor /ATSH-DPA/ – Situata në Liban mund të bëhet shumë, shumë më e rrezikshme, paralajmëroi sot sekretari i Jashtëm britanik David Lammy teksa u kërkoi britanikëve në vend që të largoheshin.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar një fluturim nga Libani për britanikët që duan të largohen, pasi Izraeli tha se kishte filluar një ofensivë ushtarake tokësore të kufizuar në pjesën jugore të vendit.
Avioni pason përpjekjet për të siguruar vende në fluturimet e mbetura komerciale jashtë Bejrutit duke përfshirë një për në ”Heathrow”.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur tashmë trupa në Qipro në rast se situata përkeqësohet më tej dhe nevojitet një evakuim emergjent.
Në një video-mesazh të postuar në internet, Lammy tha se situata është “e paqëndrueshme dhe ka potencial të përkeqësohet shpejt”.
Ai tha se ”ne vazhdojmë planifikimin e emergjencës për një sërë skenarësh në rajon, por ju nuk duhet të prisni për këto. Ne e dimë se situata në terren mund të bëhet shumë, shumë më e rrezikshme. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë garanci që një opsion tjetër do të jetë i disponueshëm. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po ofron një mundësi që ju të largoheni tani”.
Në Liban jetojnë rreth 5 000 shtetas britanikë./ a.jor.