Përurohet shkolla “Emin Duraku”, Manastirliu-Veliaj: 100 shkolla të reja, gati modernizimi i kurrikulës

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, inauguruan sot shkollën e rindërtuar “Emin Duraku” në Tiranë, një nga 25 shkollat e reja që hapën dyert për nxënësit me fillimin e vitit të ri shkollor.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm, nxënës, mësues, prindër dhe drejtues të institucioneve arsimore.
Shkolla “Emin Duraku” është ndërtuar me kushte moderne, duke përfshirë klasa të reja, laboratorë, palestër dhe terrene sportive, që ofrojnë kushte me standarde të larta për mësim për 1300 nxënës dhe mësues të kësaj shkolle.
Kjo shkollë u rindërtua nga bashkia e Tiranës, pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti.
Në përurimin e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiaku Veliaj u shprehën se shkolla e re u ndërtua aty ku ishte, por më e madhe, më e bukur dhe më e fortë se ajo që ishte.
Manastirliu e vuri theksin tek investimet që janë bërë në përmirësimin e infrastrukturës arsimore jo vetëm në shkollat e Tiranës por në të gjitha shkollat në vend.
“Kemi ecur shumë shpejt me infrastrukturën shkollore. Janë 100 shkolla që përgjatë vitit 2024 janë rehabilituar ose janë në proces rehabilitimi. 40 kantiere të reja në të gjithë vendin tashmë janë hapur dhe brenda këtij viti shkollor edhe këto objekte arsimore do t’i shtohen kolanës së shkollave të rehabilituara që garantojnë standarde shumë të mira për nxënësit por edhe për mësuesit,” tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ajo dha edhe lajmin se shumë shpejt do të prezantohet dhe paketave re e kurrikulës, pasi ka nisur puna për rishikimin e saj.
“Shumë shpejt do të prezantojmë paketën e re për modernizimin e kornizës kurrikulare. Lind nevoja që të gjitha sfidat e kohës që jetojmë dhe ato të së ardhmes t’i projektojmë në kurrikulën arsimore. Ndaj programet mësimore janë duke u rivlerësuar, sepse duam t’i përmirësojmë për të pasur tekste të reja në lëndët kyçe, sikurse është gjuha shqipe, matematika dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK) ku ne jemi duke punuar për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve inteligjentë. Deri vitin e ardhshëm edhe 654 laboratorë inteligjentë do të ndërtojmë në shkolla që kurrikula e re e TIK-ut, të aftësojë sa më shumë nxënës, duke filluar nga klasa e parë me programet e kodimit por nga ana tjetër ajo të integrohet në të gjitha lëndët,” deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja u ndal edhe të mbështetja e mësuesve, jo vetëm me rritjen e pagave por edhe me kualifikimin dhe trajnimin e tyre në vazhdim përmes sistemit të ri të kualifikimit dhe Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve që tashmë ka nisur fazën e dytë dhe ku po trajnohen 16 mijë mësues të gjuhës shqipe, matematikës, fizikës, kimisë dhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se buqeta e shkollave në kryeqytet do të vijojë të plotësohet me rindërtimin e shkollave “Edith Durham” dhe “Petro Nini Luarasi”.
“Ka shumë njerëz që thonë, jo vetëm për shkollën, por edhe për teatrin, se e duan ashtu siç ka qenë, aty ku ka qenë! Çështja është të bëjmë ca gjëra të reja, të bukura, më të forta e më të mëdha, me më shumë hapësirë e modernizim e më shumë cilësi. Sot kemi zbatuar pikërisht këtë: aty ku ka qenë, por më e madhe, më e bukur dhe më e fortë. Kantieri i radhës është vetëm 50 metra nga këtu, shkolla ‘Edith Durham’, ajo do të jetë shkolla e re që do të bëjmë për Njësinë 5. Për të gjithë ata që kanë kërkuar më shumë hapësira, jemi te faza ku shkollat në periferi janë bërë aq të mira, sa ka ardhur koha të bëjmë ‘Edith Durhamin’, shkollën në zemër të ish-Bllokut, me të njëjtën cilësi, aty ku ishte, por më të bukur, më të fortë dhe më të madhe se ç’ishte. E filluam në qendër të ish-Bllokut me kopshtin ‘Sunny Hill’, vijuam me kopshtet e çerdhet, mbaruam tani 9-vjeçaret dhe është tamam qershia mbi torte, “Petro Nini Luarasi”, që gjithë cikli i atyre që studiojnë, mësojnë dhe rriten në zemër të Tiranës, të jetë cilësor nga fillimi deri në fund,” tha Veliaj.
Ai shtoi se Tirana është e vetmja bashki në Europë që e jep falas arsimin digjital për fëmijët, për të siguruar që brezi i ri të mësojë punët e së ardhmes pa qenë nevoja të ikë nga Shqipëria.
“Tirana është e vetmja bashki në Europë që e jep falas arsimin digjital. Pra, përveç asaj që garanton ministria në shkollë, Piramida sot, për të gjithë fëmijët mbi 12 vjeç, ka kurse falas te TUMO. Sot kemi çuna dhe goca që janë në gjimnaz dhe kanë filluar që tani, me një leje nga prindi, të punojnë për një kompani duke koduar nga shtëpia. Për një mendje të kthjellët është kollaj ta dallojë dikë që thotë: “Do bëjmë këtë shkollë, edhe atë shkollë, edhe atë shkollën tjetër, po edhe këtë tjetrën, dhe do bëjmë këto rritje rrogash dhe këto pagesa suplementare”, nga ai që thotë: “Do të bllokojmë këtë rrugë në datën kaq dhe këtë rrugën në datën aq, dhe do të takohemi te kjo rrugë për të djegur goma dhe te ajo rrugë do zihemi me policinë”. Mendja e kthjellët shikon kush është energjia që prodhon të mira dhe që do të shtyjë përpara suksesin, dhe kush është ajo energjia keqe, që jo vetëm mban erë, po mundohet edhe të të mallkojë në çdo punë të mirë,” tha ai.
Kryebashkiaku u ndal edhe te politikat sociale që ka ndërmarrë bashkia për t’i ardhur në ndihmë kategorive që kanë më shumë nevojë.
Duke u ndalur te qendra e ekselencës për fëmijët e spektrit autik, Veliaj tha se ajo do të ketë mësueset më të mira në rajon, si dhe do të presë fëmijë edhe nga shtete të tjera.
Nga ana tjetër, ai foli edhe për transportin publik që do të jetë falas për pensionistët nga data 1 janar, si dhe ushqimin falas në shkolla nga shtatori i vitit të ardhshëm.
1 nga 4/k.s/a.f/r.e/