E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Qeveria përshpejton ardhjen e fëmijëve nga Gaza për trajtim mjekësor

LONDËR, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Qeveria britanike po punon “me ritëm të shpejtë” për të sjellë fëmijë të sëmurë dhe të plagosur nga Gaza në Britaninë e Madhe për trajtim të menjëhershëm mjekësor, ka bërë të ditur zyra e kryeministrit Keir Starmer.

Zëdhënësi zyrtar i Starmer tha se një task forcë ndërqeveritare është “tashmë në funksion”, por paralajmëroi se ky është një “proces i ndjeshëm dhe kompleks”.

Komentet vijnë pasi BBC raportoi se grupi i parë prej 30 deri në 50 fëmijësh të sëmurë rëndë dhe të plagosur nga Gaza pritet të mbërrijë “në javët e ardhshme”.

“Nuk do të japim komente të vazhdueshme për numrat apo për procesin e saktë. Numri i saktë do të varet nga nevoja klinike dhe faktorë të ndryshëm”, tha zëdhënësi.

“Vazhdojmë të punojmë për planet për të evakuuar më shumë fëmijë nga Gaza që kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor dhe trajtim të posaçëm në Britaninë e Madhe. Është një proces i ndjeshëm e kompleks dhe mirëqenia e pacientëve dhe familjeve të tyre është përparësia jonë kryesore”, shtoi ai.

Sipas tij,  po punohet që kjo të realizohet “sa më shpejt të jetë e mundur”, me çdo rast që do të vlerësohet individualisht për të parë nëse Britania e Madhe është vendi më i përshtatshëm për trajtimin. Ai nënvizoi gjithashtu se Britania  e Madhe po ofron ndihmë të konsiderueshme në rajon, përfshirë evakuime dhe mbështetje mjekësore lokale, përveç ndihmës humanitare. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›