E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump takon fillimisht Zelenskyn dhe më pas liderët evropianë

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të zhvillojë fillimisht bisedime dypalëshe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale, tha Shtëpia e Bardhë, përpara një takimi më të gjerë me udhëheqësit evropianë më vonë gjatë ditës.

Zelensky pritet sot në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit të Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaska të premten, i cili shënoi rikthimin e Putinit në skenën globale pas një periudhe izolimi nga Perëndimi.

Presidenti ukrainas do të shoqërohet nga udhëheqësit evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Trump po ndjek një plan për të sjellë Putinin dhe Zelenskyn direkt në tryezën e negociatave.

Nëse ka sukses, takimi i së hënës me Zelenskyn mund të jetë një hap vendimtar drejt përfundimit të luftës së agresionit të Rusisë dhe ndalimit të dhunës së vazhdueshme në Ukrainë.

Presidenti i SHBA-së e sheh veten në rolin e ndërmjetësit.

Takimi gjithashtu kujton një polemikë të mëparshme të pashembullt.

Në shkurt, Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance e qortuan Zelenskyn para kamerave, duke e bërë udhëheqësin ukrainas të shkurtonte vizitën e tij në Uashington.

Marrëdhëniet janë përmirësuar që atëherë, me një foto të publikuar në prill që tregon Trumpin dhe Zelenskyn duke folur në Vatikan./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›