BM – Scholz refuzon thirrjen e Zelensky për të rrëzuar raketat ruse

LONDER, 18 korrik /ATSH/ – Kancelari gjerman Olaf Scholz hodhi poshtë thirrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për aleatët perëndimorë që të rrëzojnë raketat dhe dronët rusë mbi territorin ukrainas.
Në një samit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Pallatin Blenheim pranë Oksfordit, Scholz tha se ”një veprim i tillë si dhe kërkesa e Zelensky për heqjen e kufizimeve në përdorimin e armëve perëndimore nga Kievi në territorin rus nuk mund të diskutohej”.
Zelensky më herët u kishte kërkuar fuqive perëndimore të mbronin hapësirën ajrore të Ukrainës, ashtu siç bënë të Izraelit kur Irani nisi një sulm masiv me raketa dhe dron në prill.
“Duhet të ekzistojë një vullnet kolektiv për t’i rrëzuar ato ashtu siç ishte me raketat dhe dronët iranianë”, tha Zelensky. /os/