Kuvendi vijon punimet, raportojnë disa institucione të pavarura

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Kuvendi mbylli debatin mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023, pas raportimit në seancë të Guvernatorit të BSH-së, Gent Sejko.
Në një seancë maratonë e cila ka nisur në orën 10:00, deputetët miratuan fillimisht projektdeklaratën “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës”.
Në këtë projektdeklaratë i kërkohet Këshillit të Ministrave të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për shfuqizimin e Ligjit të Luftës nga Greqia dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.
Në vijim, Kuvendi vijoi me interpelancën me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
Në fjalën e saj deputetja Xhixho tha se, testi Pisa certifikoi dështimin e paralajmëruar prej vitesh të sistemit arsimor në Shqipëri.
Por, sipas ministres Manastirliu, “Pisa është fotografi momentale e situatës në 2022. Dy prej shkaktarëve kryesorë që ndikuan në uljen e performancës së nxënësve në të gjitha vendet, ishin tërmeti dhe pandemia”.
Po ashtu, Kuvendi zhvilloi sot edhe interpelancën me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj.
Denaj u shpreh se bujqësia shqiptare është tashmë në një dinamikë zhvillimi e përmirësimi të pakthyeshëm, ndërkohë që një kontribut kolosal ka dhënë programi i BE, IPARD II.
Ministrja informoi se përmes programit IPARD II, janë realizuar 540 investime të rëndësishme në sektorë të ndryshëm bujqësor dhe janë krijuar 1000 vende pune për familjet shqiptare.
Kuvendi po vijon punimet me një rend dite të ngjeshur, ku veç raportimeve të disa institucioneve të pavarura për vitin 2023, deputetët do të diskutojnë edhe mbi disa projektligje të rëndësishme.
/m.m/r.e/