E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Sekuestrohen 2,9 tonë kokainë me vlerë 232 milionë paund

LONDËR, 10 gusht /ATSH-DPA/ – Autoritetet britanike kanë sekuestruar 2,9 tonë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 232 milionë paund, pasi droga u zbulua e fshehur në një ngarkesë me banane nga Amerika e Jugut.

Sekuestrimi u krye të enjten nga oficerët e Forcës Kufitare në London Gateway Port, në Eseks.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), kokaina ishte fshehur mes kutive të bananeve që kishin mbërritur nga Amerika e Jugut.

Në lidhje me operacionin janë arrestuar nëntë persona, të cilët më pas janë liruar me kusht, ndërsa hetimet për grupin kriminal që qëndron pas ngarkesës vazhdojnë.

Dave Phillips, hetues i lartë i NCA-së, e cilësoi sekuestrimin si një goditje shumë të rëndësishme ndaj krimit të organizuar.

Sipas tij, konfiskimi i drogës i ka privuar grupin kriminal nga qindra milionë paund fitime që mund të ishin përdorur për financimin e aktiviteteve të tjera kriminale.

Autoritetet britanike kanë paralajmëruar se drogat e kategorisë A shkaktojnë dëme të rënda te individët dhe komunitetet.

NCA tha se do të vazhdojë bashkëpunimin me Forcën e Kufirit dhe autoritetet e vendeve të origjinës dhe tranzitit për të goditur trafikun e drogës përpara se ngarkesat të arrijnë në Britaninë e Madhe.

Ky nuk është rasti i parë i një sasie të madhe kokaine të fshehur në ngarkesa me banane.

Në shkurt 2024, NCA dhe Forca Kufitare sekuestruan atë që besohet të ketë qenë sekuestrimi më i madh i drogave të kategorisë A në Britaninë e Madhe; gati 6 tonë kokainë, të fshehura në një ngarkesë bananesh nga Amerika e Jugut në portin e Southamptonit.

Vetëm gjatë verës së vitit 2025, nga 1 qershori deri më 31 gusht, Forca Kufitare sekuestroi 15,6 tonë kokainë, me një vlerë prej më shumë se një miliard paund, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme britanike. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›