E Diel, 1 Nëntor 2026

RUSI – Gjykata përjashton partinë opozitare ”Jabloko” nga zgjedhjet parlamentare

MOSKË, 10 gusht /ATSH-DPA/ – Gjykata e Lartë e Rusisë vendosi sot të përjashtojë partinë liberale opozitare ”Jabloko” nga zgjedhjet parlamentare të shtatorit, duke argumentuar se partia ka shkelur rregullat zgjedhore.

Vendimi u mor nga gjyqtari kryesues Vyacheslav Kirillov, pas kërkesës së prokurorisë për ndalimin e pjesëmarrjes së ”Jabloko”-s në zgjedhje.

Partia është një nga zërat e paktë politikë në Rusi që ka bërë publikisht thirrje për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Padia ndaj ”Jabloko”-s ishte paraqitur nga partia nacionaliste pro Kremlinit ”Rodina” (”Mëmëdheu”), e cila pretendoi se gjatë procesit të regjistrimit të ”Jabloko”-s ishin kryer disa shkelje të ligjit zgjedhor.

Komisioni zgjedhor kishte lejuar në korrik, në mënyrë të papritur, pjesëmarrjen e partisë opozitare në zgjedhjet e ardhshme.

Megjithatë, vendimi u kundërshtua më pas përmes padisë së Rodinës.

Gjatë një seance disaorëshe sot drejtuesit e ”Jabloko”-s u përpoqën të kundërshtonin akuzat dhe të mbronin të drejtën e partisë për të marrë pjesë në zgjedhje.

Qindra mbështetës të saj u mblodhën jashtë ndërtesës së gjykatës në shenjë proteste ndaj procesit.

”Jabloko” e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka njoftuar se do ta apelojë atë.

Përjashtimi i saj e ngushton më tej hapësirën për forcat opozitare dhe kundërshtarët e luftës në procesin zgjedhor rus./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›