E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Starmer: I tronditur nga “skenat” në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

LONDËR, 26 prill /ATSH/- Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer tha sot se është i tronditur nga skenat në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington gjatë natës, raportoi BBC.

“Çdo sulm ndaj institucioneve demokratike ose ndaj lirisë së shtypit duhet të dënohet me termat më të forta të mundshme”, tha Starmer.

“Është një lehtësim i madh që Trump, Zonja e Parë, Melania Trump dhe pjesëmarrësit e tjerë në ngjarje, nuk kanë pësuar lëndime”, shtoi kryeministri britanik, Starmer.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe drejtues të tjerë të lartë amerikanë u evakuuan nga darka vjetore e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në mbrëmjen e së shtunës, pas një kërcënimi të paqartë që rezultoi me të shtëna arme.

Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi jashtë sallës së banketit në hotelin “Washington Hilton”, ku presidenti dhe të ftuarit po prisnin të fillonin aktivitetin.

Një zyrtar i zbatimit të ligjit konfirmoi se një person kishte hapur zjarr.

Nuk u raportuan viktima, ndërsa një efektiv policie u godit në jelekun antiplumb dhe pritet të jetë jashtë rrezikut.

Pas të shtënave, forcat e Shërbimit Sekret dhe agjenci të tjera të sigurisë rrethuan menjëherë zonën.

Qindra të pranishëm, përfshirë gazetarë, figura publike dhe zyrtarë të lartë, u futën poshtë tavolinave përpara se të evakuoheshin.

Dëshmitarët raportuan se dëgjuan pesë deri në tetë të shtëna.

Presidenti Trump u shoqërua jashtë sallës nga agjentët e sigurisë.

Gjatë largimit ai u pengua për një moment, por u ndihmua menjëherë.

Garda Kombëtare mori pozicione brenda ndërtesës, ndërsa hyrje-daljet u kufizuan përkohësisht.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe sekretari amerikani Shtetit, Marco Rubio, mes shumë drejtuesve të tjerë të administratës.

Ngjarja çoi në anulimin e menjëhershëm të darkës, e cila pritet të riplanifikohet.

Presidentja e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Weijia Jiang, deklaroi se eventi do të zhvillohet sërish në një datë tjetër.

Prokurorja federale, Jeanine Pirro publikoi një video nga vendngjarja, duke konfirmuar se Shërbimi Sekret kishte marrë kontrollin e plotë të ndërtesës dhe se autoritetet lokale, përfshirë kryetaren e bashkisë Muriel Bowser, ishin nisur drejt vendit të ngjarjes.

Ngjarja ndodhi pak kohë para se të niste darka tradicionale, një event i rëndësishëm i Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku zakonisht marrin pjesë presidenti amerikan, gazetarë dhe personalitete të njohura, duke reflektuar marrëdhënien shpesh të tensionuar mes politikës dhe medias. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›