BM – Starmer: Ukraina të vendoset në pozitën më të fortë të mundshme për negociata

LONDËR, 3 dhjetor /ATSH-DPA/- Ukraina duhet të vendoset në pozitën më të fortë të mundshme për negociata – për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, tha kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer.
Starmer theksoi se Britania e Madhe do të mbështeste Ukrainën për aq kohë sa do të duhej – ndërsa ai mbajti një fjalim në Banketin e Lordit të Bashkisë në Londër.
Kjo është hera e parë që Starmer pranon se konfliktit mund t’i jepet fund përmes negociatave.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka sugjeruar javët e fundit se ai është i hapur për një armëpushim të mundshëm me Rusinë.
Kievi dhe aleatët e tij evropianë ndërkohë kanë frikë se kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të rezultojë në pezullimin e ndihmës amerikane.
Presidenti i sapozgjedhur Trump ka thënë se do të preferonte të lëvizte drejt një marrëveshjeje paqeje dhe se mund t’i jepte fund konfliktit që “ditën e parë” të ardhjes së tij në pushtet.
Ndërsa Starmer përpiqet të krijojë një marrëdhënie të mirë me presidentin e ardhshëm – ai zbuloi se i kishte thënë Trump se Britania e Madhe do të investonte më shumë se kurrë në këtë lidhje transatlantike me miqtë amerikanë në vitet në vijim.
Në fjalimin e tij në Guildhall të Londrës, kryeministri britanik tha se nuk kishte dyshim se mbështetja e Ukrainës ishte vendimi i duhur – pasi ndihma e BM-së për Kievin ishte në interesin e vetë vendit. //a.i/