E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Starmer kritikon Putinin për sulmin ndaj Kievit

LONDËR, 7 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Keir Starmer tha se presidenti rus Vladimir Putin ka treguar se nuk është serioz për paqen, ndërsa iu bashkua aleatëve në dënimin e bombardimeve ruse – që shënuan sulmin më të madh ajror ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës.

Starmer tha se sulmi brutal dhe frikacak ndaj Kievit, i cili vrau të paktën dy persona, vërtetoi se presidenti rus mendon se mund të veprojë pa u ndëshkuar.

Presidenti francez Emmanuel Macron, me të cilin Starmer udhëheq të ashtuquajturin “koalicioni i të gatshmëve”, tha se Moska po mbyllet gjithnjë e më shumë në logjikën e luftës dhe terrorit.

”Jam i tmerruar nga sulmi i fundit brutal gjatë natës ndaj Kievit dhe në të gjithë Ukrainën, i cili vrau civilë dhe goditi infrastrukturën. Për herë të parë, zemra e qeverisë civile të Ukrainës u dëmtua”, tha ai.

“Këto sulme frikacake tregojnë se Putini beson se mund të veprojë pa u ndëshkuar. Ai nuk është serioz për paqen”, shtoi Starmer.

“Tani, më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe sovranitetin e saj”, tha ai.

“Rusia sulmoi Ukrainën me 805 dronë dhe Ukraina ka rrëzuar dhe neutralizuar 747 dronë dhe katër raketa”, sipas një deklarate të forcave ajrore të vendit.

Rusia kreu nëntë goditje me raketa dhe 56 sulme me dronë në 37 vende në të gjithë Ukrainën, ndërsa mbetjet nga dronët dhe raketat e rrëzuara ranë në tetë vende. // a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›