E Enjte, 5 Nëntor 2026

BOLIVI – Përpjekje e pasuksesshme për grusht shteti

LA PAZ, 27 qershor /ATSH-AA-DPA/ – Presidenti i Bolivisë, Luis Arce deklaroi se disa njësi ushtarake janë mobilizuar në mënyrë të parregullt në vend dhe kërkoi nga ushtria që të respektojë demokracinë.

Në një deklaratë nga llogaria e tij X në median sociale, Arce tha se “dënojmë mobilizimin e parregullt të disa njësive ushtsarke nga disa njësi të ushtrisë së Bolivisë. Demokracia duhet të respektohet”.

Në lajmet e mediave boliviane thuhet se tanket dhe ushtarë me kapuçë evakuuan civilët nga sheshi “Plaza Murillo” në kryeqytet dhe rrethuan zonën.

Në lajme pretendohet se komandantët e nivelit të lartë të ushtrisë së Bolivisë kërcënuan me marrjen e ekzekutivit.

Ndërsa në lajmet e pasqyruara në mediat sociale theksohet se njësitë ushtarake janë pozicionuar përreth Shtabit të Përgjithshëm.

Ish-presidenti i Bolivisë, Evo Morales në një deklaratë përmes llogarisë së tij në median sociale, njoftoi se forcat e armatosura janë përpjekur të bëjnë “grusht shteti”.

“Grushti i shtetit po afrohet. Komandantët nga Shtabi i Përgjithshëm bënë thirrje për takim urgjent në orën 15:00. Ne i bëjmë thirrje për mobilizim kombëtar të gjithë popullit tonë në qytete dhe zona rurale për të mbrojtur demokracinë. Shpallim grevë të përgjithshme pa afat. Nuk do të lejojmë që forcat e armatosura të shkelin demokracinë dhe të frikësojnë njerëzit”, deklaroi Morales.

Ndërkohë, Juan José Zuniga, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë boliviane, është arrestuar pas një përpjekjeje të dukshme për grusht shteti, raportojnë mediat lokale.

Zúniga, i cili udhëhoqi përpjekjen e dukshme për të sulmuar pallatin qeveritar në La Paz, akuzohet për terrorizëm dhe kryengritje të armatosur kundër sigurisë dhe sovranitetit të shtetit.

Prokuroria publike më herët kishte lëshuar një urdhërarresti.

Ushtria boliviane pushtoi të mërkurën sheshin përpara pallatit qeveritar në kryeqytetin de facto me automjete të blinduara dhe u përpoq të thyente dyert, treguan imazhe të drejtpërdrejta në televizionin bolivian.

“Mjaft me varfërimin e atdheut tonë, mjaft për poshtërimin e ushtrisë. Kemi ardhur të shprehim pakënaqësinë tonë”, u tha Zúniga përfaqësuesve të medias./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›