BOTËRORI 2026 – Irani mesazh prekës në dhomat e zhveshjes: Faleminderit Los Anxheles për mikpritjen!

LOS ANXHELES, 22 qershor /ATSH-DPA/ – Kombëtarja e Iranit la një mesazh të shkruar me dorë në dhomat e zhveshjes pas barazimit 0-0 ndaj Belgjikës në Kupën e Botës 2026, duke falënderuar Los Anxhelesin për mikpritjen, pavarësisht vështirësive të mëdha me të cilat është përballur gjatë turneut.
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe kufizimeve të udhëtimit, ekipi iranian është detyruar të udhëtojë nga baza e tij në Meksikë drejt SHBA-së më pak se një ditë para ndeshjeve dhe të kthehet menjëherë pas tyre.
Trajneri i Iranit, Amir Ghalenoei, deklaroi se skuadra e tij kishte mbërritur në Botëror “në gjendjen më të keqe të mundshme”, duke përmendur luftën dhe kufizimet e vizave.
Megjithatë, Irani ka zhvilluar paraqitje të mira dhe ruan shpresat për t’u kualifikuar për herë të parë në fazën me eliminim direkt.
Ndeshja vendimtare ndaj Egjiptit do të zhvillohet të shtunën në Seattle.
Në mesazhin e lënë në dhomat e zhveshjes, lojtarët shkruan:“Erdhëm në Los Anxhelos me krenari, garuam me nder dhe po largohemi me dinjitet. Faleminderit Los Anxhelos për mikpritjen tuaj. Faleminderit çdo iraniani që i dha zemrën, zërin dhe shpirtin Iranit gjatë këtyre 180 minutave”, shkruan lojarët në mesazhin e lënë në dhomat e zhveshjes
Mesazhi përmendi gjithashtu viktimat e sulmit ndaj një shkolle në Minab gjatë ditës së parë të luftës me SHBA-në dhe përfundonte me thirrjen; “le të mbizotërojnë paqja, respekti dhe miqësia mes të gjitha kombeve”.
Ndërkohë, në stadium u dëgjuan fishkëllima gjatë himnit iranian nga një pjesë e tifozëve.
Në tribuna u panë edhe flamujt e Iranit para revolucionit islamik të vitit 1979, si dhe pankarta me mbishkrimin “Free Iran”, ndërsa lojtarët iranianë zgjodhën të përqendroheshin vetëm te futbolli./ /Ad.Ab./ a.jor.