ZVICËR – JD Vance: Bisedimet me Iranin hodhën themelet për një marrëveshje të përhershme për t’i dhënë fund luftës

OBUERGEN, 22 qershor /ATSH/- Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance deklaroi se raundi i parë i negociatave mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, në Zvicër ka krijuar një bazë të mirë për një marrëveshje përfundimtare të suksesshme, që synon t’i japë fund luftës së nisur në fund të muajit shkurt, raportoi AP.
Pas përfundimit të takimeve me delegacionin iranian, Vance tha se ende nuk është arritur një marrëveshja përfundimtare, por se janë hedhur themelet për përparim në javët e ardhshme.
Sipas tij, gjatë bisedimeve pati tensione, madje delegacioni iranian kërcënoi për një moment, se do të largohej nga negociatat pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, pala iraniane vendosi të vazhdojë diskutimet dhe ekspertët teknikë të të dy vendeve, qëndruan në Zvicër për të vijuar punën.
Vance bëri të ditur se palët kanë shënuar progres në katër çështje kryesore: garantimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, koordinimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe përcaktimin e procesit për negociatat teknike, që do të vazhdojnë gjatë 60 ditëve të ardhshme.
Ai shtoi se një nga temat kryesore, mbetet programi bërthamor iranian dhe monitorimi i materialeve bërthamore të vendit.
Sipas Vance, Irani ka pranuar rikthimin e inspektorëve të IAEA-s, megjithëse Teherani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht, këtë pretendim.
Zëvendëspresidenti amerikan tha gjithashtu se Izraeli është mbajtur vazhdimisht i informuar për ecurinë e negociatave, përmes kontakteve të rregullta me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ndërkohë, një nga propozimet e diskutuara, parashikon që një pjesë e aseteve iraniane që mund të zhbllokohen nga sanksionet, të përdoren për blerjen e produkteve bujqësore amerikane, si gruri, misri dhe soja. Deri tani, Irani nuk e ka komentuar publikisht këtë ide.
“Në fund të ditës, bisedimet vazhduan dhe ne bëmë progres të madh”, tha Vance, duke theksuar se negociatat teknike, do të vijojnë në përpjekje, për të arritur një marrëveshje të përhershme mes dy vendeve. //a.i/