BRATISLAVË – Sllovakia e gatshme të presë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë

BRATISLAVË, 27 dhjetor /ATSH-AFP/- Sllovakia konfirmoi sot gatishmërinë e saj për të pritur bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, pavarësisht akuzave të Kievit se po i shërben presidentit rus Vladimir Putin.
Gjatë një konference për shtyp dje, udhëheqësi rus e quajti “të pranueshme” që vendi të shndërrohej në një “platformë” për dialogun mbi konfliktin, të cilin presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se mund t’i japë fund pasi të marrë detyrën në janar.
Kjo perspektivë ka ngritur shqetësime në Kiev se një zgjidhje e konfliktit mund të imponohet me kushte të favorshme për Moskën, ndërsa Ukraina lufton në fushën e betejës.
“Ne ofrojmë tokën sllovake për negociata të tilla”, tha ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar në Facebook, gati tre vjet pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë.
Putini njoftoi dje se Sllovakia kishte ofruar të ishte një “platformë” për bisedimet e mundshme të paqes dhe se Rusia “nuk ishte kundër saj”, duke vlerësuar pozicionin neutral të Bratislavës.
Por, Putini përsëriti zotimin e tij se vendi i tij do të arrinte të gjitha objektivat në Ukrainë.
– Marrëdhëniet Rusi- Sllovaki
Blanar tha se çdo bisedim duhej të bëhej me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, dhe për rrjedhojë edhe të Rusisë – ndryshe nga samiti i mëparshëm në qershor në Zvicër.
“Ne e konsiderojmë deklaratën e presidentit rus si një sinjal pozitiv për t’i dhënë fund kësaj lufte, kësaj gjakderdhjeje dhe këtij shkatërrimi sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministri.
Ai tha se Sllovakia i kishte thënë Kievit në tetor se ishte në dispozicion për të pritur bisedimet e paqes.
Kryeministri sllovak, Robert Fico është një nga pak liderët evropianë që kanë qëndruar pranë Kremlinit.
Ai u takua me Putinin në Moskë më 22 dhjetor, duke shkaktuar një zemërim nga Kievi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi të hënën Fico se donte të “ndihmonte” Putinin duke vazhduar të importonte gaz rus.
Pavarësisht se është një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Sllovakia është afruar më shumë me Rusinë që nga kthimi në pushtet i nacionalistit Fico, në fund të vitit 2023.
Fico ka ndaluar të gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe akuzon Kievin për rrezikimin e furnizimit të vendit të tij me gaz rus, të cilin ai dëshiron të vazhdojë ta blejë. //a.i/