E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRATISLAVË – Sllovakia merr sërish gaz nga Rusia, nëpërmjet Turqisë

BRATISLAVË, 6 shkurt /ATSH-DPA/- Një muaj pas ndalimit të tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës, Sllovakia po merr sërish gaz nga Rusia.

“Gazi tani po transportohet përmes Turqisë dhe Hungarisë në vend të Ukrainës”, tha sot furnizuesi shtetëror sllovak i gazit SPP.

“SPP synon të respektojë kontratën e furnizimit me gaz me kompaninë ruse “Gazprom”, e cila zgjat deri në vitin 2034, pavarësisht shqetësimeve politike”, u tha gazetarëve në Bratislavë shefi i SPP-së, Vojtech Ferencz.

Ukraina ka ndaluar tranzitin e gazit rus pas përfundimit të afatit të kontratës se furnizimit me “Gazprom” më 1 janar, me qëllim që Moska të mos fitonte të ardhura nga shitja e gazit – gjë që do të nxiste luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Megjithatë, Sllovakia, një vend anëtar i BE-së, është më e varur nga gazi rus se pothuajse çdo vend tjetër në Evropë dhe protestoi ashpër kundër ndalimit të tranzitit.

Bratislava thirri Marrëveshjen e Asociimit të BE-së me Ukrainën, e cila, pavarësisht luftës, parashikon dërgesat e gazit nga Rusia në vendet e BE-së për t’i mbrojtur ato nga mungesa e energjisë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›