E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

UASHINGTON – Trump: Izraeli do t’ia dorëzonte Gazën SHBA-së pasi luftimet të mbaronin

UASHINGTON, 6 shkurt /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se Izraeli do t’ia dorëzonte Gazën Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi luftimet të mbaronin dhe popullsia e enklavës tashmë ishte zhvendosur diku tjetër, gjë që ai tha se nuk do të kishte nevojë për trupa amerikane në terren, sipas “Reuters”.

Një ditë pas kritikave mbarëbotërore ndaj njoftimit të Trump se ai synonte të merrte dhe kthente Rripin e Gazës në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, Izraeli urdhëroi ushtrinë e tij të përgatitej për të lejuar “largimin vullnetar” të palestinezëve të Gazës.

Trump, i cili më parë kishte refuzuar të përjashtonte dislokimin e trupave amerikane në territorin e vogël bregdetar, e sqaroi idenë e tij në platformën e tij të internetit “Truth Social”.

“Rripi i Gazës do t’i dorëzohej Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Izraeli në përfundim të luftimeve”, tha ai.

Palestinezët do të jenë vendosur tashmë në komunitete shumë më të sigurta dhe më të bukura, me shtëpi të reja dhe moderne, në rajon”, tha ai.

“Asnjë ushtarë nga SHBA-ja nuk do të nevojitej”, shtoi Trump.

Më herët, mes një valë mbështetjeje në Izrael për atë që kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti propozimin “të jashtëzakonshëm” të Trump, ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha se kishte urdhëruar ushtrinë të përgatiste planin për të lejuar banorët e Gazës që dëshironin të largoheshin të dilnin vullnetarisht nga enklava.

“Unë e mirëpres planin e guximshëm të presidentit Trump. Banorëve të Gazës duhet t’u lejohet liria të largohen dhe të emigrojnë, siç është e zakonshme në mbarë botën”, tha Katz në X.

Ai tha se plani i tij do të përfshinte opsionet e daljes nëpërmjet kalimeve tokësore, si dhe rregullime të veçanta për nisjen nga deti dhe ajri. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›