BRUKSEL – BE: Dronët mbi Belgjikë tregojnë se Evropa është në rrezik

BRUKSEL, 3 tetor /ATSH-ANSA/- Ndërhyrja e disa dronëve të mëdhenj në hapësirën ajrore gjermane çoi në mbylljen e Aeroportit të Mynihut dje në mbrëmje.
Sipas medias gjermane, jane raportuar pesë ose gjashtë dronë me krahë – me një diametër prej rreth një metër.
Policia reagoi shpejt në vendngjarje, por objektet fluturuese ishin zhdukur. Për më tepër, theksohet se origjina e tyre mbetet e panjohur.
BE ka reaguar për dronët që u raportuan pranë një baze ushtarake në Belgjikë, duke thënë se incidenti tregon edhe njëherë se Unioni është në rrezik.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Mbrojtjes së Komisionit Evropian, Thomas Regnier tha se autoritetet po kryenin hetime për të identifikuar origjinën e këtyre dronëve.
Një tjetër ndërhyrje e rreth 15 dronëve ndodhi mbrëmë mbi zonën ushtarake Elsenborn në Belgjikë.
“Këto incidente demonstrojnë edhe një herë se e gjithë BE-ja është në rrezik”, tha zëdhënësi i Mbrojtjes së Komisionit Evropian, Thomas Regnier, në konferencën e tij të përditshme për shtyp.
Ai theksoi se Brukseli është në kontakt me shtetet anëtare dhe se u takon atyre të kryejnë hetimet – për të identifikuar origjinën dhe përgjegjësinë pas ndërhyrjeve të avionëve të dyshimtë në hapësirën ajrore evropiane.
“Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe komisioneri lituanez, përgjegjës për mbrojtjen dhe hapësirën ajrore në Komisionin e Von der Leyen thanë dje në Danimarkë, se vendosja e një barriere kundër dronëve do të mbronte të gjithë Bashkimin Evropian”, tha Regnier.
“Nevojitet një qasje 360 gradë, siç demonstrohet edhe një herë nga rasti i dy Shteteve Anëtare që u shënjestruan”, tha ai, duke përmendur Belgjikën dhe Gjermaninë.
“Nëse i marrim në konsideratë këto dy vende anëtare, nuk po flasim më për vendet në vijën e frontit. Nuk po flasim më për vendet në krahun lindor. Po flasim për Bashkimin Evropian në tërësi”, shtoi zëdhënësi. //a.i/.