SHBA – Trump synon shkurtime në Agjencitë Demokrate në ditën e tretë të mbylljes së qeverisë

UASHINGTON, 3 tetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka paralajmëruar se punonjësit federalë mund të pushohen nga puna dhe projektet mund të shkurtohen nëse mbyllja e pjesshme e qeverisë vazhdon, sipas “The Independent”.
“Nuk mund ta besoj që Demokratët e Majtë Radikalë më dhanë këtë mundësi të paparë”, tha Trump në një postim në rrjetet sociale.
“Ne mund të shkurtojmë projekte që ata donin, projekte të preferuara, dhe ato do të shkurtoheshin përgjithmonë. Unë gëzoj të drejtën për këtë, të shkurtoj projekte që nuk duhet të ishin miratuar më parë dhe ndoshta do ta bëj”, tha dje Trump duke iu referuar demokratëve – në një intervistë për “One America News Network”.
Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se mijëra vende pune nga agjencitë demokrate do të shkurtoheshin nëse mbyllja e qeverisë vazhdonte.
Presidenti Trump tha se po takohej me Russ Vought, drejtorin e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, për të përcaktuar se cilat nga Agjencitë Demokrate – ai rekomandonte për të shkurtuar.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha më vonë se mijëra njerëz kishte të ngjarë të pushoheshin nga puna.
Sot është dita e tretë e mbylljes së qeverisë, dhe ende nuk ka shenja të një marrëveshjeje që mund t’i japë fund asaj.
Mbyllja filloi të mërkurën në mesnatë pasi një projektligj për shpenzimet republikane dështoi duke u votuar me 55 vota pro dhe 45 kundër në Senat, pesë më pak se 60 votat e nevojshme.
Votimi i radhës në Senat është planifikuar sot pasdite. //a.i/