E Enjte, 5 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE: Marrëveshja për huanë prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën pritet të finalizohet deri në fund të tetorit

BRUKSEL, 30 shtator /ATSH/- Vendet e Grupit të Shtatë (G7) duan të arrijnë një marrëveshje politike për kredinë prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën deri në fund të tetorit, në mënyrë që paratë të jenë në gjendje të disponohen para fundit të këtij viti, tha sot një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, sipas Reuters.

G7 përbëhet nga SHBA-ja, Kanadaja, Japonia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia. BE-ja në tërësi, e përfaqësuar nga institucionet e saj, është gjithashtu pjesë e grupit.

“Presidenca e G7-ës tani synon përkushtimin politik për pjesëmarrjen në këtë iniciativë – e cila do t’u lejojë të gjithë huadhënësve të G7 kohë të mjaftueshme për të vënë në funksion kreditë deri në fund të këtij viti”, tha zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis.

Kredia për Ukrainën do të sigurohet nga fitimet e krijuara nga asetet ruse “të ndaluara” në Perëndim. Më shumë se dy të tretat e aseteve, rreth 210 miliardë euro, janë në BE.

BE do të sigurojë pjesën më të madhe – deri në 35 miliardë euro (39 miliardë dollarë) – të kredisë.

Dombrovskis tha se SHBA-ja po frenohej pasi kishte nevojë për garanci nga Evropa se paratë e siguruara nga asetet e ngrira do të ishin në dispozicion për të shlyer kredinë për aq kohë sa të ishte e nevojshme.

Problemi është se vendimi i BE-së për ngrirjen e parave të Rusisë duhet të rinovohet çdo gjashtë muaj me unanimitet në bllokun 27-vendesh. Kjo krijon pasiguri ligjore sepse një vend – si Hungaria miqësore me Rusinë – mund të ndalojë rinovimin.

“Për të adresuar shqetësimin e Uashingtonit, BE-ja dëshiron të zgjasë periudhën e rinovimit nga gjashtë në 36 muaj me një votim me unanimitet në tetor”, tha Dombrovskis, duke shtuar se suksesi ishte i mundshëm, por jo i sigurt.

“Në mungesë të një ndryshimi të tillë, SHBA-ja ende mund t’i bashkohet nismës, por me një shumë shumë më të ulët”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›