BRUKSEL – BE do të takohet me Izraelin për të diskutuar marrëveshjen e asociimit për të drejtat e njeriut

BRUKSEL, 27 maj /ATSH-DPA/- Ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord sot për të zhvilluar një takim të Këshillit të Asociimit BE-Izrael për të vlerësuar pajtueshmërinë e Izraelit me detyrimet e marrëveshjes së asociimit për të drejtat e njeriut.
Diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell, njoftoi vendimin sot në Bruksel, ndërsa i bëri thirrje Izraelit për të respektuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të ndalur ofensivën ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
“Në kundërshtim me bindjen ndaj vendimit të GJND-së, Izraeli ka kryer një rritje të aktiviteteve ushtarake, një rritje të bombardimeve dhe rritje të viktimave për popullin civil”, tha Borrell.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell tha se ministrat e Jashtëm të unionit i kërkuan atij të propozojë masa të mëtejshme konkrete për të siguruar pajtueshmërinë e Izraelit me vendimin e GJND-së.
Bashkimi Evropian ka dënuar vazhdimisht sulmet terroriste të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit që shkaktuan vdekjen e mbi 1200 personave ndërsa 250 të tjerë janë marrë peng, por kritikat ndaj veprimeve të Izraelit në Gazë janë rritur. //a.i/