E Enjte, 5 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE godet Hamasin dhe Xhihadin Islamik Palestinez me sanksione të reja

BRUKSEL, 28 qershor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të reja ndaj dy grupeve ekstremiste islamike palestineze – Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ).

Tre kompani dhe gjashtë persona janë vënë në shënjestër të masave ndëshkuese për financimin e dy grupeve dhe mundësimin e veprimeve të tyre të dhunshme.

Sanksionet e reja prekin Zuhair Shamlakh, i cili sipas BE-së, është një pastrues parash që mundëson transferime financiare në Hamas nga Irani.

“Gjithashtu në shënjestër është Maher Rebhi Obeid, një zyrtar politik i nivelit të lartë për Hamasin – përgjegjës për drejtimin e operativëve terroristë të Hamasit në Bregun Perëndimor”, tha Këshilli i BE-së, organi që përfaqëson 27 vendet anëtare të bllokut.

Jamil Yusuf Ahmad Aliyan, një zyrtar i PIJ-së dhe udhëheqës i Fondacionit Muhjat AlQuds që ofron mbështetje financiare për familjet e luftëtarëve dhe të burgosurve të PIJ-së, gjithashtu është sanksionuar.

Tre kompanitë, “Zawaya Group for Development and Investment Co Ltd”, “Larrycom for Investment Ltd”, dhe “Al Zawaya Group for Development and Investment Sociedad limitada” janë subjekt i sanksioneve – në lidhje me investimet e bëra për Hamasin.

Personat dhe organizatat e shënjestruara nga sanksionet e BE-së i nënshtrohen ngrirjes së aseteve në bllok dhe ndalimit të udhëtimeve në BE.

Gjithashtu, është e ndaluar që palët e treta të ofrojnë burime ekonomike, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për shoqëritë dhe personat e listuar.

Në total, 12 persona dhe tre organizata janë në listën e sanksioneve të BE-së – të vendosura në janar 2024 për të ndëshkuar çdo individ që mbështet Hamasin ose PIJ pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael më 7 tetor. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›