E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE i jep përparësi përdorimit të IA-së për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën

BRUKSEL, 8 tetor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian do të ndajë afërsisht 1 miliard euro për të rritur përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në ekonomi, në një përpjekje për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën.

“Fondet do të përdoren për projekte të tilla si, drejtimi autonom në qytetet evropiane ose qendrat shëndetësore të mbështetura nga IA-ja”, njoftoi sot Komisioni Evropian.

Një strategji e dedikuar e IA-së do të financohet gjithashtu për t’u ofruar studiuesve të shkencës qasje në qendrat e IA-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në një deklaratë se IA-ja mund të çonte në zgjidhje më të zgjuara, më të shpejta dhe më të përballueshme në të gjithë ekonominë.

“Ne do të nxisim përdorimin e IA-se në të gjithë sektorët tanë kryesorë, nga robotika te kujdesi shëndetësor, energjia dhe automobilat”, shtoi ajo.

Brukseli shpreson për një progres të madh në kujdesin shëndetësor të IA-së.

Teknologjia mund të mundësojë analiza më të sakta të procedurave të imazherisë, siç janë rrezet X, diagnoza më të sakta dhe trajtime më efektive.

Sektorë të tjerë kryesorë ku BE-ja planifikon të investojë në IA përfshijnë, transportin dhe industrinë e automobilave, robotikën, prodhimin, inxhinierinë dhe ndërtimin, klimën dhe mjedisin, energjinë; bujqësinë dhe ushqimin, mbrojtjen, sigurinë, komunikimin elektronik dhe industritë kulturore, krijuese dhe mediatike.

“Sektorët që nuk përfshihen, si financa apo turizmi, mund të rishqyrtohen më vonë”, thanë zyrtarët e BE-së.

Vendimi për t’i dhënë përparësi fushave kryesore – u bazua në një raport nga ish-kryeministri italian dhe kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.

“Strategjia e re e BE-së do të thotë që kompanitë duhet ta konsiderojnë inteligjencën artificiale si një zgjidhje parësore për problemet, duke mos neglizhuar rreziqet që lidhen me teknologjinë”, thanë zyrtarët e BE-së.

Komisioni Evropian është përballur me kritika nga industria e teknologjisë – sipas së cilës rregullat tepër burokratike po pengojnë inovacionin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›