E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE i ofron Serbisë bashkëpunim pas fitores së Listës Studentore

BRUKSEL, 26 tetor /ATSH-DPA/  – Bashkimi Evropian i ka ofruar Listës Studentore të Serbisë bashkëpunim të ngushtë pas fitores së saj në zgjedhjet parlamentare, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur reformat që synojnë forcimin e shtetit të së drejtës, lirisë së medias dhe institucioneve demokratike, si dhe luftën kundër korrupsionit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e përgëzuan Listën Studentore për fitoren e arritur dje në mbrëmje. Ata deklaruan se BE-ja është e gatshme të ndihmojë në përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Union.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se zgjedhjet u karakterizuan nga një pjesëmarrje historikisht e lartë, pas gati dy vitesh protestash për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Sipas saj, për Serbinë mund të nisë tashmë një kapitull i ri.

“Dera e BE-së është e hapur”, deklaroi Kos, duke nënvizuar gatishmërinë e Brukselit për të mbështetur procesin e integrimit evropian të vendit.

Serbia ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE që prej vitit 2012, ndërsa negociatat zyrtare të anëtarësimit nisën në vitin 2014.

Megjithatë, procesi ka mbetur kryesisht i bllokuar për shkak të politikave të udhëheqjes së mëparshme serbe, shqetësimeve lidhur me standardet demokratike dhe shtetin e së drejtës, si dhe marrëdhënieve të ngushta të Aleksandar Vuçiçit me Moskën.

Reagime kritike në nivel evropian kanë shkaktuar gjithashtu veprimet që kritikët i kanë cilësuar si organizim i një ceremonie shtetërore mortore për Ratko Mlladiçin, ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjës, i dënuar për krime lufte.

Von der Leyen dhe Costa kanë kritikuar përfaqësuesit e qeverisë serbe për atë që e konsiderojnë si mungesë të përballjes me një kapitull të errët të historisë së afërt evropiane.

Mlladiçi vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, në një burg në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ai ishte dënuar, ndër të tjera, për rolin e tij në masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8 000 persona, kryesisht burra dhe djem, pasi forcat serbe të Bosnjës morën kontrollin e enklavës në Bosnjën lindore. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›