E Diel, 1 Nëntor 2026

FRANCË – Nunez: Do të vazhdojmë të mbajmë kufizimet ndaj protestave

PARIS, 26 tetor /ATSH-DPA/ – Franca do të vazhdojë të zbatojë kufizime ndaj protestave në shkallë kombëtare kundër rritjes së kostos së jetesës, me qëllim parandalimin e përsëritjes së trazirave të rënda të regjistruara rreth një javë më parë, deklaroi sot ministri i Brendshëm, Laurent Nunez.

“Për të qenë plotësisht i sinqertë, situata gjatë ditëve të ardhshme nuk do të jetë shumë e ndryshme nga ajo që kemi parë deri tani”, tha Nunez për transmetuesin BFMTV.

Protestat kundër kostos së lartë të jetesës dhe në mbështetje të përmirësimit të kushteve në arsim u shoqëruan me akte dhune dhe plaçkitje në disa qytete më 17 tetor. Autoritetet akuzuan aktivistë të së majtës ekstreme se kishin depërtuar në demonstrata dhe i kishin shfrytëzuar ato për të shkaktuar kaos.

Në përgjigje të situatës, autoritetet franceze vendosën shtetrrethime lokale dhe kufizuan numrin e demonstratave gjatë fundjavës së kaluar.

Prania e shtuar e policisë të shtunën parandaloi një valë tjetër trazirash të përmasave të ngjashme me ato të javës pararendëse. Megjithatë, sipas Ministrisë së Brendshme, 1 435 persona u arrestuan, ndërsa më shumë se 150 protestues dhe 267 efektivë policie u plagosën.

Protesta të tjera janë planifikuar për të shtunën e ardhshme dhe më 5 nëntor, krahas një greve të përgjithshme.

Nunez deklaroi sot se prefektët do të vendosin për vazhdimin ose jo të shtetrrethimeve në dhjetra qytete në konsultim me kryetarët e bashkive.

Ai shtoi se do të ruhet gjithashtu ndalimi i demonstratave në qendrat e qyteteve, për shkak të rrezikut për sigurinë publike.

Sipas ministrit, ngjarjet e së shtunës treguan se grupe të prirura për dhunë kishin depërtuar në marshimet protestuese në Paris dhe në disa qytete të tjera, me synimin për të provokuar përshkallëzimin e situatës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, pritet të zhvillojë sot një vizitë të paparalajmëruar në Marsejë, qytet ku rreth një javë më parë u regjistruan trazira të rënda dhe plaçkitje.

Ndërkohë, kryeministri Sebastien Lecornu pritet të takohet me përfaqësues të nxënësve për të diskutuar kërkesat e tyre për shkolla më të pajisura dhe më shumë mësues./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›