BRUKSEL – BE përgatit paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

BRUKSEL, 14 nëntor /ATSH-DPA/- BE-ja po përgatit një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, pasi lufta ruse në Ukrainë nuk po tregon shenja të përfundimit të saj.
Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas njoftoi masën pas një takimi me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, dhe kolegë të tjerë në Berlin.
“Luftërat janë humbur nga ata që u mbarojnë paratë ose ushtarët”, tha Kallas, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse duhej të vazhdohej të ushtrohej presion mbi Rusinë përmes sanksioneve.
Ajo gjithashtu vlerësoi masat e fundit ndëshkuese të vendosura nga qeveria amerikane nën drejtimin e presidentit, Donald Trump kundër kompanive ruse të naftës.
“Sanksionet funksionojnë më mirë kur ato plotësohen nga mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kallas.
Paketa tjetër e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë do të jetë e 20-ta. E 19-ta hyri në fuqi në tetor dhe, ashtu si sanksionet e SHBA-së, synon në veçanti uljen e mëtejshme të të ardhurave të Rusisë nga shitja e gazit dhe naftës.
Një ndalim i plotë i importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia do të zbatohet në vitin 2027, një vit më herët se sa ishte planifikuar, fillimisht.
Përveç kësaj, masa të mëtejshme ndëshkuese do të zbatohen në sektorin financiar, dhe liria e lëvizjes së diplomatëve rusë do të kufizohet brenda BE-së.
Kallas, fillimisht nuk dha asnjë detaj në Berlin në lidhje me masat e reja të mundshme në paketën e 20-të të sanksioneve.
Sipas diplomatëve të Brukselit, kompani të tjera ruse të energjisë dhe anije që i përkasin të ashtuquajturës “flotë hije” mund të jenë në shënjestër.
Moska ka përdorur të ashtuquajturën “flotë hije” për të anashkaluar një kufizim çmimesh për naftën ruse të vendosur nga mbështetësit perëndimorë të Ukrainës.
Kjo zakonisht përfshin përdorimin e anijeve të vjetruara dhe metodave të ndryshme për të fshehur origjinën e dërgesave të naftës. //a.i/