BRUKSEL – Blinken: Administrata Biden do të dërgojë çdo dollar të premtuar në Ukrainë

BRUKSEL, 13 nëntor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të siguruar që Ukraina të vazhdojë të mbrohet kundër Rusisë në vitin 2025 – dhe të negociojë nga “një pozicion fuqie”, tha sot sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në selinë e NATO-s.
“Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do të sigurohet që “çdo dollar” i premtuar për Ukrainën të dërgohet përpara 20 janarit”, tha Blinken.
Biden do t’ia dorëzojë presidencën, presidentit të sapozgjedhur Donald Trump më 20 janar.
Trump tha gjatë fushatës së tij zgjedhore se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, ai ende nuk ka thënë se si synon ta arrijë këtë.
Kryediplomati i SHBA-së ishte në selinë e aleancës në Bruksel për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën – pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
“NATO është kritike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sigurinë e vendeve në të gjithë Evropën”, tha Blinken.
“SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë gjithçka që po bëhet për të ndihmuar Ukrainën kundër pushtimit rus në shkallë të plotë”, shtoi ai.
Blinken diskutoi gjithashtu ushtarët e Koresë së Veriut që luftojnë në emër të Rusisë në Ukrainë, një zhvillim që ai e përshkroi si tepër të rrezikshëm.
“NATO do t’i dërgojë Rusisë dhe Koresë së Veriut “një përgjigje të fortë”, tha Blinken, duke iu referuar shqetësimeve të shprehura nga vendet fqinje me Korenë e Veriut si, Japonia dhe Koreja e Jugut.
“Shumica e 10 000 trupave të Koresë së Veriut të dërguara në Rusi për të ndihmuar në luftën kundër Ukrainës janë tashmë në veprim në rajonin e largët perëndimor të Kurskut – por suksesi në fushën e betejës nuk është i garantuar”, tha dje një zëvendëszëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH). //a.i/