E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Kallas: BE e gatshme të dërgojë mision vëzhgimi për zgjedhjet palestineze

BRUKSEL, 6 tetor /ATSH-AFP/- Bashkimi Evropian është i gatshëm të dërgojë një mision vëzhgimi për zgjedhjet legjislative palestineze, të planifikuara për 28 nëntor, njoftoi sot shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.

Kallas deklaroi se palestinezët kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Sipas saj, votimi do të ishte një hap i rëndësishëm për rinovimin e legjitimitetit të institucioneve palestineze.

Nëse zhvillohen sipas planit, këto do të jenë zgjedhjet e para legjislative palestineze në rreth 20 vjet.

Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën në vitin 2006, kur Hamas fitoi ndaj Fatahut të presidentit Mahmoud Abbas.

Pas zgjedhjeve parlamentare të nëntorit, pritet që zgjedhjet presidenciale të zhvillohen në tremujorin e parë të vitit 2027.

Megjithatë, ekzistojnë shqetësime se zgjedhjet mund të shtyhen për shkak të vështirësive logjistike dhe situatës së ndërlikuar politike e të sigurisë.

Organizimi i zgjedhjeve është një nga reformat që kërkon prej kohësh komuniteti ndërkombëtar.

BE-ja dhe partnerë të tjerë e kanë mbështetur financiarisht Autoritetin Palestinez, por ky institucion është përballur me kritika për korrupsionin, bllokimin e institucioneve dhe humbjen e legjitimitetit politik.

Nëse procesi zhvillohet, prania e një misioni vëzhgues të BE-së do të synonte të rrisë besueshmërinë dhe transparencën e procesit zgjedhor.

Vetë zhvillimi i zgjedhjeve do të kishte rëndësi të madhe politike, pasi mund të shërbente për rinovimin e institucioneve palestineze pas një periudhe gati dydekadëshe pa zgjedhje parlamentare. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›