E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolle për përdorimin e ujit të pijshëm nga lavazhet, Çuka: 31 tetori afati i fundit për ndërprerjen vullnetare

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUK) ka nisur aksionin kombëtar për kontrollin e përdorimit të ujit të pijshëm nga lavazhet në të gjithë vendin, ndërsa 31 tetori është përcaktuar si afati i fundit për ndërprerjen vullnetare të përdorimit të ujit nga rrjeti publik.

Drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka, deklaroi sot për mediet se, Kodi i Furnizimit me Ujë nuk lejon përdorimin e ujit të pijshëm për aktivitetin e lavazheve dhe u bëri thirrje subjekteve që të marrin masat brenda afatit.

“Thirrja jonë është e qartë: mos prisni kontrollin. Merrni masat brenda 31 tetorit. Pas kësaj date do të intensifikohen kontrollet dhe do të zbatohen masat administrative të parashikuara nga ligji”, u shpreh Çuka.

Sipas tij, lavazhet që përdorin ujin e rrjetit publik duhet ta ndërpresin këtë praktikë dhe të sigurojnë një burim alternativ të ligjshëm.

Çuka paralajmëroi gjithashtu masa ndaj lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.

“Ndërhyrja e paligjshme në rrjet është vepër penale. Çdo lidhje e paligjshme që do të konstatohet do të dokumentohet dhe do t’u referohet organeve kompetente. Pa përjashtim”, tha ai.

Kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit dhe çdo shkelje do të dokumentohet, ndërsa për subjektet që nuk respektojnë rregullat do të ndiqen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

AKUK thekson se ndërhyrjet e paligjshme në rrjet rrisin humbjet e ujit, mund të ndikojnë në presionin dhe funksionimin normal të sistemit dhe cenojnë furnizimin e qytetarëve.

“Rrjeti publik i ujit të pijshëm është pasuri e përbashkët dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në të në mënyrë të paligjshme”, theksoi Çuka.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›