E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Kallas: Deklaratat e Lavrov tregojnë se Moska nuk është e interesuar për paqen

BRUKSEL, 28 shtator /ATSH-DPA/ – Deklaratat e bëra nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas takimit me homologun e tij gjerman Johann Wadephul tregojnë se Moska nuk është e interesuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, deklaroi sot diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Bruksel, Kallas tha se komentet e Lavrovit tregojnë se Rusia nuk është aspak e interesuar për paqen.

Sipas saj, kjo tashmë është shumë, shumë e qartë për të gjithë.

Wadephul dhe Lavrov u takuan të shtunën në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

Pas takimit, Lavrov bëri disa komente kritike për bisedën me Wadephul.

Ai tha se takimi i kishte krijuar përshtypjen se mesazhi i nënkuptuar i ministrit gjerman ishte ”kam denjuar të vij te ju”.

Kallas argumentoi se, nëse Moska do të ishte seriozisht e interesuar për përfundimin e konfliktit, ministri rus do ta kishte trajtuar homologun gjerman në një mënyrë tjetër.

Nga ana e tij, Wadephul e përshkroi bisedën si intensive.

Ai tha se gjatë takimit kishte diskutuar luftën në Ukrainë si dhe dronin e ngarkuar me eksplozivë që u gjet në aeroportin e Lajpcigut në gusht.

Berlini zyrtar ka fajësuar Moskën për incidentin, ndërsa Rusia e ka hedhur poshtë këtë akuzë.

Ministria e Jashtme gjermane akuzoi gjithashtu Moskën se po e përdor takimin në Nju Jork për qëllime propagandistike.

Një zëdhënës tha se Gjermania ishte e vetëdijshme për vlerën propagandistike të një takimi ballë për ballë, të cilin pala ruse e kishte shfrytëzuar dhe vazhdonte ta shfrytëzonte.

Megjithatë, zëdhënësi gjerman mbrojti vendimin për zhvillimin e takimit, duke thënë se ishte e arsyeshme që në këtë fazë të zhvillohej një bisedë e drejtpërdrejtë, me qëllim që Gjermania të përcillte edhe një herë qartë qëndrimet e saj./  /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›