E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Kallas: Rusia kërkon të bllokojë sanksionet e SHBA-së me planin për Ukrainën

BRUKSEL, 21 nëntor /ATSH-AFP/ – Rusia po kërkon të bllokojë zbatimin e sanksioneve të SHBA-së kundër eksporteve të saj të naftës duke njoftuar një plan për Ukrainën nga Uashingtoni, deklaroi sot përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

“Sot është dita në të cilën supozohet të hyjnë në fuqi sanksionet e SHBA-së kundër Rusisë. Shpresoj se nuk do të shohim një vendim për t’i shtyrë ato, sepse kjo është pikërisht ajo që dëshiron Rusia”, u tha ajo gazetarëve në Bruksel.

Në një vendim të mirëpritur nga evropianët dhe Ukraina, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione muajin e kaluar kundër dy kompanive kryesore të naftës të Rusisë, ”Lukoil” dhe ”Rosneft”, efektet e të cilave filluan të ndiheshin edhe para se të hynin në fuqi.

Grupi indian petrokimik ”Reliance Industries” njoftoi të enjten se kishte ndaluar importimin e naftës bruto ruse në rafinerinë e saj të eksportit.

”Moska po kërkon gjithashtu të bllokojë diskutimet e vazhdueshme në Bruksel mbi përdorimin e aseteve të bankës së saj qendrore, të ngrira në Evropë”, shtoi Kallas.

“Ajo që Rusia dëshiron gjithashtu është që ne të shtyjmë diskutimet në mënyrë që asetet e ngrira të mos përdoren në dobi të Ukrainës”, deklaroi ajo më tej, pas një forumi që mblodhi së bashku 27 shtetet anëtare të BE-së si dhe vendet nga Azia dhe Oqeania.

“Ne duhet të jemi shumë të vendosur t’u themi partnerëve tanë në Azi dhe Oqeani se nuk do të biem në këto dy kurthe”, shtoi ajo.

Evropianët po diskutojnë përdorimin e këtyre aseteve të ngrira, përfshirë 210 miliardë euro të mbajtura në Belgjikë, për të financuar një kredi prej rreth 140 miliardë eurosh për Ukrainën./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›