E Diel, 1 Nëntor 2026

LONDËR – Ish-kreu i ”Reform UK” dënohet me 10,5 vite burg për ryshfete ruse

LONDËR, 21 nëntor /ATSH-DPA/ –  Ish-kreu i partisë së ekstremit të djathtë ”Reform UK” në Uells është dënuar me 10 vite e gjysmë burg, pasi u pagua 40 000 paund (52 200 dollarë) për të bërë deklarata pro ruse në Parlamentin Evropian, një veprim që gjykata e cilësoi si tradhti të rëndë ndaj publikut britanik.

Nathan Gill, 52 vjeç, u deklarua fajtor për tetë akuza ryshfeti, të kryera midis 6 dhjetorit 2018 dhe 18 korrikut 2019.

”Parlamentarët kanë ndikim të madh në diskursin publik dhe politik. Ata duhet të flasin me ndershmëri dhe bindje, pavarësisht nëse qëndrimet e tyre pëlqehen apo kundërshtohen”, tha gjykatësja Cheema-Grubb gjatë shpalljes së vendimit.

“Marrja e parave për të bërë deklarata të caktuara i kishte korruptuar busullën morale dhe përbën një tradhti të rëndë ndaj besimit të dhënë nga elektorati”, shtoi ajo.

Në kohën kur kreu veprat, Gill ishte deputet i Parlamentit Evropian, i zgjedhur fillimisht nga UKIP.

Ai kishte bërë deklarata pro ruse në Parlamentin Evropian dhe në opinione për media si  ”112 Ukraine”.

Sipas prokurorisë, ideatori i ryshfetit ishte Oleg Voloshyn, 44 vjeç, ish-deputet pro rus ukrainas, i lidhur me televizionin ”112 Ukraine”.

Ky kanal ishte në pronësi të oligarkut prorus Viktor Medvedchuk, 71 vjeç, aleat i ngushtë i Vladimir Putinit dhe burimi përfundimtar i urdhrave dhe parave të përfituara nga Gill.

Shkeljet e Gill u zbuluan pasi ai u ndalua në aeroportin e Manchesterit  më 13 shtator 2021, ndërsa po përpiqej të udhëtonte drejt Rusisë.

Telefonit të tij iu gjetën mesazhe WhatsApp me Voloshyn, me referenca për ”dhurata të Krishtlindjeve”, ”kartolina” dhe ”5K”, që nënkuptonin pagesa.

Voloshyn besohet se tani jeton në Rusi dhe kërkohet nga autoritetet britanike dhe ukrainase.

Medvedchuk u arrestua në vitin 2021 dhe u dërgua në Rusi në vitin 2022 përmes një shkëmbimi të të burgosurve./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›