BRUKSEL – Kanadaja: Marrëdhëniet me SHBA-në nuk do të jenë më kurrë të njëjta pas luftës tregtare të Trump

BRUKSEL, 4 prill /ATSH/- Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Mélanie Joly bëri sot një paralajmërim të ashpër për homologët e saj evropianë – pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump goditi aleatët me tarifa të larta, sipas “Politico”.
“Ne e dimë se marrëdhënia nuk do të jetë më kurrë e njëjtë”, tha Joly në selinë e NATO-s, ku ajo po merrte pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm aleatë.
“Ky është mesazhi im për evropianët, marrëdhëniet me SHBA-në nuk do të jenë kurrë të njëjta”, tha ajo.
Trump e vendosi BE-në në kategorinë më të keqe të partnerëve tregtarë të Amerikës këtë javë, duke goditur bllokun me një tarifë prej 20 për qind për të gjitha importet.
Njoftimi i Trump e vendos bllokun 27-vendesh në hapin e keq tregtar së bashku me ekonomitë kryesore si Kina, Japonia, Tajvani dhe Koreja e Jugut.
Joly tha se qëllimi i Trump ishte të bënte “një rivendosje globale të tregtisë”, e cila kishte filluar me Kanadanë.
“Ne blejmë më shumë nga SHBA-ja sesa Britania e Madhe, Franca, Kina dhe Japonia së bashku”, u tha Joly gazetarëve.
“Kur trajtoni klientin tuaj më të mirë, ashtu siç jemi trajtuar ne … do të thotë që ju dëshironi të ndryshoni rrënjësisht mënyrën se si po veproni”, shtoi ajo. //a.i/