BRUKSEL – Luksemburgu: Duhet t’i japim Ukrainës mjetet për të përballuar luftën

BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH/- Po shkojmë në drejtimin e duhur për të gjetur një zgjidhje për Ukrainën, tha dje kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, sipas “Euronews”.
“Ne duhet t’i japim Ukrainës mjetet për të mbijetuar në këtë luftë, kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”, tha kryeministri i Luksemburgut, Frieden.
Udhëheqësit evropianë do të mblidhen në Bruksel sot dhe nesër për të diskutuar çështjet më urgjente që duhen zgjidhur para fundit të vitit, duke përfshirë mënyrën e financimit të Ukrainës nga fillimi i vitit 2026.
Gjithashtu, do të shqyrtohen dy mundësi kryesore për të rritur financimin prej 90 miliardë eurosh të BE-së për të mbështetur Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme.
Alternativa e parë është përdorimi i aseteve të ngrira të Bankës Qendrore Ruse për të krijuar një kredi me zero interes për Ukrainën, të cilën Kievi do ta shlyejë vetëm nëse Rusia paguan dëmshpërblimet pas luftës.
E dyta do të përfshinte BE-në që do të merrte hua në tregjet financiare, një qasje e ngjashme gjatë pandemisë së COVID-19.
“Do të gjejmë një zgjidhje, kemi dy mundësi në tryezën e bisedimeve”, tha Frieden.
“Përdorimi i aseteve të ngrira, është komplekse, por mund të gjejmë një mënyrë për ta bërë të funksionojë”, tha ai.
Në BE ka 210 miliardë euro asete sovrane ruse, nga të cilat 185 miliardë euro mbahen në “Euroclear”, një depozitë me qendër në Bruksel.
Belgjika ka kërkuar që shtetet e tjera anëtare të ofrojnë garanci të forta.
“Duhet të gjejmë një grup vendesh që ndajnë rreziqet – në skenarin në të cilin Rusia mund të nisë një padi gjyqësore – për të kërkuar asetet në fund të luftës ose pasi të hiqen sanksionet”, tha kryeministri i Luksemburgut.
“Duhet të jemi të bashkuar sepse SHBA-ja mund të mos jetë atje me ne në të ardhmen”, theksoi Frieden, duke iu referuar shkëputjes graduale të Uashingtonit në mbështetjen e Ukrainës ndërsa ajo vazhdon të mbrohet nga lufta e Rusisë. //a.i/