E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Zelensky bën thirrje për fonde te reja të shpejta nga BE-ja

BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH-DPA/  – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje liderëve të Bashkimit Evropian që të bien shpejt dakord për fonde të reja për Kievin, pas pjesëmarrjes si i ftuar në një samit vendimtar në Bruksel.

”Pa financime të reja, Ukraina rrezikon të përballet vitin e ardhshëm me një deficit prej 45–50 miliardë eurosh (52,8–58,7 miliardë dollarë) dhe të detyrohet të reduktojë prodhimin ushtarak”, tha ai për gazetarët në Bruksel.

Liderët e BE-së po diskutojnë mundësinë që asetet e ngrira ruse nën sanksionet e BE-së të vihen në dispozicion të Ukrainës në formën e një kredie.

Komisioni Evropian ka propozuar që Ukrainës t’i ofrohen deri në 210 miliardë euro nga asetet ruse të bllokuara  në BE si kredi reparacionesh, nga të cilat 90 miliardë euro synohen të mbulojnë nevojat financiare dhe ushtarake për vitet 2026 dhe 2027.

Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e këtyre aseteve, e kundërshton planin, duke përmendur rreziqe ligjore dhe financiare.

Zelensky zhvilloi një takim privat me kryeministrin belg Bart De Wever kuadër të samitit të BE-së.

“I kuptoj rreziqet për të cilat flet ai”, tha Zelensky pas takimit, “por ne jemi në luftë dhe mendoj se përballemi me rreziqe edhe më të mëdha”.

Presidenti ukrainas e quajti “sinjal pozitiv” faktin që De Wever po sinjalizon tani se një zgjidhje për këtë çështje duhet të gjendet në ditët në vijim.

“Një marrëveshje për kredinë e reparacioneve është e nevojshme për të shmangur përdorimin e aseteve kundër Ukrainës në përpjekjet diplomatike në vazhdim për t’i dhënë fund luftës së Rusisë”, shtoi Zelensky.

“Sigurimi i mbulimit të nevojave financiare për vitin e ardhshëm do ta forconte pozicionin e Ukrainës në tryezën e negociatave”, theksoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›