BRUKSEL – NATO diskuton luftën në Ukrainë dhe sulmet hibride ruse

BRUKSEL, 3 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të nisin sot takime dyditore në selinë e aleancës në Bruksel, duke u fokusuar në mbështetjen e mbrojtjes së vazhdueshme të Ukrainës kundër pushtimit rus në shkallë të plotë.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha do të informojë homologët e tij të NATO-s mbi statusin aktual të luftimeve – pasi fronti lindor i Ukrainës është nën presion të shtuar nga sulmet ruse.
Ukraina pritet gjithashtu të bëjë një thirrje të përtërirë për t’u bashkuar me aleancën – pas një sugjerimi nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky se vendi i tij mund të binte dakord për një armëpushim me Rusinë – nëse NATO shtrin mbrojtjen e saj në pjesët e vendit të kontrolluara nga Ukraina.
Aleanca, deri më tani ka refuzuar t’i ofrojë Ukrainës anëtarësimin për shkak të shqetësimeve se pushtimi rus i Ukrainës do të përshkallëzonte në një konflikt që do të përfshinte NATO-n.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë planifikuar gjithashtu të diskutojnë lëshimin e një rakete balistike eksperimentale nga Rusia, muajin e kaluar kundër Ukrainës dhe të shqyrtojnë nevojat e Ukrainës për mbrojtjen ajrore.
Ushtria ruse ka thënë se raketa e re me rreze të mesme veprimi që u lëshua në qytetin ukrainas, Dnipro javën e kaluar – mund të godasë objektiva në të gjithë Evropën dhe nuk mund të ndalet nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Parandalimi dhe mbrojtja nga sulmet hibride ruse apo aktet e sabotimit kundër anëtarëve të NATO-s pritet të jetë gjithashtu në agjendë. //a.i/