BRUKSEL – Shqetësime për një takim të planifikuar të Orbanit me Putinin në Moskë

TIRANË, 5 korrik /ATSH/- Udhëheqës të tjerë të BE-së kanë shprehur shqetësim për raportet e mediave se kryeministri hungarez Viktor Orban mund të takohet sot me presidentin rus Vladimir Putin, në Moskë, sipas BBC.
Orban – vendi i të cilit tani mban presidencën e rradhës të BE-së – është kreu i vetëm i bllokut i qeverisë kombëtare që ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin – pas pushtimit të tij në shkallë të plotë të Ukrainës në 2022.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se Orban nuk kishte mandat për t’u angazhuar me Rusinë në emër të BE-së, ndërsa kryeministri polak Donald Tusk kërkoi sqarime.
Disa media raportuan për vizitën e ardhshme të Orban në Moskë, duke cituar burimet e tyre.
“Radio Free Europe/Radio Liberty”, një organizatë mediatike e financuar nga qeveria amerikane, citoi një burim të qeverisë hungareze.
Ai thoshte gjithashtu se ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto do të shoqëronte Orban.
Hungaria dhe Rusia nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të BBC për koment.
Të hënën, sipas agjencisë së lajmeve AFP, Orban premtoi “lajme befasuese nga vende befasuese”.
“Presidenca e rradhës së BE-së nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së”, shkroi Michel në X.
“Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të bëhet pa Ukrainën”, shtoi ai.
“Thashethemet për vizitën tuaj në Moskë nuk mund të jenë të vërteta Viktor Orban, apo mund të jenë?”, shkroi Tusk në X.
Në fillim të kësaj jave, Orban vizitoi Kievin, duke thënë se një armëpushim i shpejtë mund të përdorej për të përshpejtuar negociatat e paqes.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky – i cili ka pasur marrëdhënie të ftohta me Orban – nuk iu përgjigj publikisht propozimit të tij.
Por, shumë ukrainas besojnë se çdo armëpushim do të forconte kontrollin e Rusisë mbi territorin që ajo ka marrë nga Ukraina.
Spekulimet mediatike për vizitën e Orbanit në Moskë erdhën pasi presidenti Putin tha sërish se ishte i hapur për negociata me Kievin.
Udhëheqësi i Kremlinit, kohët e fundit shprehu publikisht një sërë parakushtesh të vështira për bisedime, por Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thanë se këto ishin “të barabarta” me kapitullimin e Ukrainës.
Gjatë paraqitjes së përbashkët të Orban me Zelensky, gjuha e trupit mes tyre nuk ishte e ngrohtë dhe nuk patën as pyetje nga media pasi ata dhanë deklaratat e tyre.
Por, për gjashtë muajt e ardhshëm, pozicioni i Orban si kreu i Këshillit Evropian do të thotë se ai ka një rol me ndikim si një figurë për Evropën.
Ai erdhi në Ukrainë në ditën e tij të dytë në atë rol për diskutime, duke thënë se kishte nevojë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mëparshme dhe për t’u fokusuar në të ardhmen./ /a.i/