BRUKSEL – Shumica e vendeve të BE-së bëjnë propozime për financimin e armëve

BRUKSEL, 31 janar /ATSH-DPA/ – Gjermania dhe 18 vende të tjera të Bashkimit Evropian u shprehën sot në favor të zgjerimit të financimit të armëve përmes Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) disa ditë përpara një takimi të mbrojtjes të liderëve të BE-së.
“Duke zgjeruar mekanizmat e financimit dhe duke përdorur të gjitha mjetet e disponueshme, ne mund të adresojmë nevojën urgjente për të rritur bazën industriale dhe teknologjike të mbrojtjes së Evropës”, shkruan udhëheqësit, në një letër drejtuar BEI-t, e cila është organizmi huadhënës i BE-së.
”Kjo do të siguronte që baza e mbrojtjes të mund të përballonte sfidat afatshkurtra dhe afatgjata”, shtuan ata.
“Në dritën e sfidave të vazhdueshme të sigurisë me të cilat përballet Evropa, përfshirë luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, është thelbësore që ne të ndërmarrim veprime vendimtare për të forcuar gatishmërinë dhe aftësitë e përgjithshme të mbrojtjes të Evropës dhe bazën e saj industriale të mbrojtjes”, theksohej në letër.
Udhëheqësit e BE-së do të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar se si mund të forcohen aftësitë evropiane të mbrojtjes dhe si mund të mblidhen fondet përkatëse.
Disa vende të BE-së janë gjithashtu të hapura për të marrë një borxh të ri të përbashkët.
Gjermania, Holanda dhe Austria janë kundër kësaj.
Zgjerimi i rolit të BEI-t mund të jetë përfundimisht një nga kompromiset.
Nënshkruese të letrës janë edhe Franca, Italia, Spanja, Suedia dhe Holanda.
BEI ka zgjeruar tashmë ndjeshëm aktivitetet e saj në sektorin e mbrojtjes gjatë vitit të kaluar dhe ka vënë në dispozicion më shumë se kurrë më parë para’ për projektet e mbrojtjes.
Investimet në siguri dhe mbrojtje në komunitetin e 27 shteteve u dyfishuan në një miliard euro (1,04 miliardë dollarë) në 2024.
Për vitin 2025, ajo pret një dyfishim të mëtejshëm të investimeve vjetore në dy miliardë euro./ a.jor.